Shkolla e Magjistraturës, më datë 10 shkurt 2026, zhvilloi aktivitetin trajnues me temë: “Natyra juridike e kërkimeve, vërtetim fakti juridik dhe padia e vërtetësisë së marrëdhënies juridike apo të një dokumenti, ngjashmëritë dhe dallimet e tyre në gjykimin civil dhe atë administrativ", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.
Ky aktivitet u drejtua nga:
Ekspertë: Gentian Medja dhe Sokol Pina
Lehtësues: Adrian Shega
Qëllimi i këtij trajnimi është:. Evidentimi dhe analizimi i kritereve për dallimin e qartë të natyrës juridike të kërkimeve, vërtetim fakti juridik dhe padisë së vërtetësisë së marrëdhënies juridike apo të një dokumenti, në gjykimin civil dhe atë administrativ. Evidentimi dhe adresimi i çështjeve më të diskutueshme që kanë rezultuar nga studimi i praktikës gjyqësore. Synohet që pjesëmarrësit të njihen me risitë dhe problematikat ligjore e të praktikës gjyqësore; të diskutohen ato dhe të ofrohen interpretimet dhe zgjidhjet më të mira të pranuara nga jurisprudenca.
Trajnimi u realizua duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve.
Gjatë këtij aktiviteti trajnues u trajtuan tema të ndryshme, si:
- Padia për pa/vërtetësinë e dokumentit sipas nenit 32/c të KPC;
- Natyra juridike e këtij kërkimi dhe raporti i saj me nenet 7 dhe 17 të ligjit nr. 49/2012;
- Kriteret që duhen mbajtur parasysh në përcaktimin e kompetencës lëndore në këto lloj padish, si dhe roli i gjyqtarit ne identifikimin e qarte të natyrës juridike të kërkimit;
- Veçoritë e gjykimit civil dhe problematika në lidhje me vërtetimin gjyqësor të faktit;
- Veçoritë e gjykimit civil dhe problematika në lidhje me paditë e njohjes/deklarative;
- Dallimi ndërmjet llojit të gjykimeve;
- Analizimi i kritereve për përcaktimin e kompetencës në gjykimin e këtyre lloj çështjes;
- Referimi dhe analizimi i praktikës gjyqësore për paditë e vërtetimit të qenies ose mos qenies së një marrëdhënie juridike, si dhe për njohjen e vërtetësinë ose pavërtetësisë së një dokumenti.
Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë, këshilltarë ligjore dhe avokatë shteti të Republikës së Shqipërisë.





Shkolla e Magjistraturës